Në ditën e takimit, ju duhet të dorëzoni dokumentet e mëposhtme për secilin aplikant të vizës, pavarësisht moshës:

  1. Pasaporta(t) dhe kopje të pasaportave – të rritur dhe fëmijë (Origjinalin/et dhe nga një fotokopje të qartë të tyre; fotokopja e saj do të dorëzohet tek mjeku);
  2. Kartelën/at personale të vaksinimit dhe kopje të saj (Origjinalin/et dhe nga një fotokopje të qartë të tyre; fotokopja e saj do të dorëzohet tek mjeku);
  3. Dokumentin që ju njofton datën e intervistës për vizë (ose në mungesë të saj ju duhet të jepni PATJETËR numrin e çështjes suaj, p.sh.: TIA201956700011, ose 2019EU00012345);
  4. Këtë letër takimi për vizitën mjekësore;
  5. Për çdo person gjashtë (6) fotografi me përmasa 3×4 cm ballore të nxjerra 6 muajt e fundit.
  6. Tregojini mjekut të gjitha sëmundjet që keni dhe mjekimin përkatës, si dhe dokumentacion mbi diagnozën, analiza shëndetësore për sëmundje aktuale, raportet shëndetësore, epikriza nga spitali për operimet që keni kaluar, analiza, të cilat këshillohet t’i keni me vete për të evituar riparaqitjen ose ekzaminimet shtesë. Gratë shtatzana duhet të kenë me vete ekzaminimin EKO me film dhe përshkrimin nga mjeku gjinekolog të moshës së shtatzanisë.
  7. Nëse mbani syze, duhet të sillni vizitën nga okulisti që tregon diagnozën dhe vizusin me korrigjim dhe pa korrigjim.
  8. Gjatë kontrollit mjekësor mund të lindë nevoja për ekzaminime shtesë. Ju duhet të ndiqni udhëzimet e stafit mjekësor rreth analizave shtesё.
  9. Të gjithë aplikantët e vizës, pavarësisht moshës, duhet të paraqiten për vizitën mjekësore në datën e caktuar në këtë letër.

Nuk ka nevojë për noterizim të dokumenteve të lëshuara nga institucionet shqiptare. Nëse ju nuk i sillni të gjitha dokumentet e mësipërme, do të krijohet vonesë në kryerjen e vizitës suaj mjekësore, dhe si rrjedhojë mund të mos kryeni intervistën tuaj për vizë në ditën e caktuar!

Analiza e Gonorresë: Personat e moshes 18-24 vjec nuk duhet te urinojne pas orës 7:00 të mëngjesit të ditës së vizitës mjekësore. Nëse ju urinoni pas orës 7:00 të mëngjesit, analiza e gonorresë mund të mos dalë e saktë dhe mund t’ju duhet ta përsërisni të nesërmen.